KSHZ-ja miratoi Librin e afateve për zgjedhjet për kryetar komune në Bërvenicë
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pasditen e sotme, në një seancë, miratoi Librin e afateve për zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune në Bërvenicë dhe zgjodhi kryetarin, zëvendëskryetarin dhe anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot shpalli zgjedhjet për kryetar komune më 18 tetor, pasi kohët e fundit ndërroi jetë papritur kryetari i komunës, Jovica Ilievski.
“Sikurse edhe deri më tani, KSHZ-ja mbetet e përkushtuar ndaj rolit të saj ligjor dhe kushtetues për të qenë mbrojtëse dhe garantuese e të drejtës demokratike të votës. E siguroj opinionin publik se do t’i ndërmarrim të gjitha masat që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të plotë, transparente, në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, në përputhje me standardet më të larta për zhvillimin e zgjedhjeve, duke u mundësuar qytetarëve të komunës së Bërvenicës që lirshëm dhe me dinjitet ta shprehin vullnetin e tyre më 18 tetor të vitit 2026”, tha Mariçiq.
Anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko, informoi për datat më të rëndësishme nga Libri i afateve të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune të Bërvenicës. Kontrolli publik i Listës Zgjedhore fillon më 22 gusht dhe zgjat 20 ditë, gjegjësisht deri më 10 shtator, ndërsa qytetarët këtë mund ta bëjnë në njësinë rajonale të KSHZ-së në Bërvenicë dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojnë korrigjimin e të dhënave personale. Mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për kryetar komune fillon më 17 gusht dhe zgjat 15 ditë, deri më 31 gusht. Fushata zgjedhore fillon më 21 shtator, ndërsa do të zgjasë 20 ditë, përkatësisht deri më 16 tetor. Dorëzimi i listave të kandidatëve në KKZ-në e Bërvenicës është deri më 12 shtator.
Për shkak se i kishte skaduar mandati edhe KKZ-së së Bërvenicës, sot me përzgjedhje të rastësishme u zgjodhën kryetari, zëvendëskryetari, anëtarët dhe zëvendësanëtarët e KKZ-së në Bërvenicë.
Gjithashtu, KSHZ-ja do t’i dërgojë kërkesë Ministrisë së Punëve të Brendshme për përditësimin e Listës Zgjedhore, është marrë vendim për angazhimin e personave për trupa ndihmës, konkretisht në sektorin e teknologjisë informative, ndërsa është përcaktuar edhe shuma për reklamimin politik të paguar për mediat që nuk kanë qenë të regjistruara gjatë pesë viteve të fundit.
