U aksidentua në Turqi, transport urgjent për pacientin me lëndime të rënda
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është siguruar transport urgjent mjekësor për një pacient të ri nga Maqedonia, i cili ka pësuar lëndime të rënda në vertebrat e qafës gjatë qëndrimit në Kushadasi, Turqi. Ministria ka theksuar se në kordinim të menjëhershëm me Qeverinë, Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, është siguruar një avion qeveritar për transportin e pacientit dhe sipas tyre me procedurë urgjente, pacienti pritet të transportohet nesër drejt vendit.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“Gjatë transportit, pacienti do të shoqërohet nga një ekip i specializuar mjekësor i Klinikës Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendër Urgjente (TOARILUC), ndërsa janë siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për transport të sigurt mjekësor”.
Sipas Ministrisë, pas mbërritjes në Shkup, pacienti do të merret menjëherë në përkujdesje nga ekipi i kirurgjisë spinale të Klinikës, ku do të hospitalizohet dhe do t’i ofrohet trajtim i mëtejshëm specialistik, kujdes i nevojshëm mjekësor, si dhe rehabilitim adekuat.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
