BDI-Çair: Përdhosja e muraleve të UÇK-së në përvjetorin e rënies së Komandant Telit është provokim i rëndë
BDI – Dega Çair ka reaguar pas përdhosjes së muraleve në Çair, ku paraqiten figura dhe simbole të lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e shqiptarëve.
Në reagimin e saj, BDI-Çair dënon përdhosjen e muraleve me figurën e Adem Jashari, Komandant Telit, emblemës së UÇK-së dhe simboleve të tjera të luftës së shqiptarëve.
Sipas BDI-së, rasti merr një peshë edhe më të madhe për shkak të kohës kur ka ndodhur, pikërisht në përvjetorin e rënies së Komandant Telit.
“Një akt i tillë është provokim i rëndë dhe nuk mund të shihet i shkëputur nga atmosfera që po krijohet në vend”, thuhet në reagimin e degës së BDI-së në Çair.
BDI pretendon se, siç shprehet, një pushtet i “nënshtruar politikisht” ka krijuar terren ku elemente radikale nacionaliste ndihen të inkurajuara të provokojnë shqiptarët, duke prekur gjuhën, simbolet dhe tashmë edhe figurat e dëshmorëve.
Në këtë kontekst, partia i referohet edhe rastit të fundit në Tabanoc, ku pretendon se është hequr gjuha shqipe nga tabelat shtetërore.
“Dje u hoq gjuha shqipe nga tabelat shtetërore në Tabanoc. Sot përdhosen Adem Jashari, Komandant Teli dhe emblema e UÇK-së në Çair”, thuhet më tej.
BDI-Çair i ka bërë thirrje Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut që urgjentisht të identifikojë autorët e këtij akti, të sqarojë motivet dhe t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë.
“Presim reagim institucional, jo heshtje”, thekson BDI – Dega Çair.
Në fund, BDI deklaron se Çairi ka respektuar dhe do të vazhdojë të respektojë çdo komunitet dhe qytetar, duke kërkuar në të njëjtën kohë respekt për historinë, gjuhën, simbolet dhe dëshmorët shqiptarë.
