Gjorgjievski: Uji në Shkup është i sigurt për t’u pirë,
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi sot përmes rrjeteve sociale se uji i pijshëm në kryeqytet i plotëson kriteret mikrobiologjike dhe kimike, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos shqetësohen nga informacionet që, sipas tij, kanë shkaktuar frikë dhe panik të panevojshëm gjatë ditëve të fundit.
Gjorgjievski sqaroi se deponia për të cilën është diskutuar në publik nuk ndodhet në territorin e Shkupit. Sipas tij, ajo gjendet rreth 30 kilometra larg burimit “Rashçe” dhe ekziston prej rreth 30 vitesh.
Megjithatë, ai theksoi se çdo deponi që paraqet problem mjedisor duhet të pastrohet. Sipas tij, NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” ka detyrimin të ndërmarrë veprime në kuadër të kompetencave të saj, ndërsa procesi i pastrimit do të mbështetet nga institucionet përkatëse.
Duke iu drejtuar banorëve të kryeqytetit, kryetari i Shkupit theksoi se uji që konsumojnë është i sigurt për t’u pirë. Ai tha se analizat e përditshme konfirmojnë se uji është në përputhje me kriteret mikrobiologjike dhe kimike.
Çdo ditë merren mostra shtesë nga 36 deri në 40 pika të ndryshme të sistemit të furnizimit me ujë. Mostrat më pas analizohen në mënyrë të detajuar në laboratorët e NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” – Shkup.
Sipas tij, burimi “Rashçe” kontrollohet vazhdimisht, 24 orë në ditë, ndërsa mbrojtja e tij sigurohet përmes kamerave të vëzhgimit dhe pranisë fizike të personelit të sigurisë.
Gjorgjievski u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, duke përsëritur se Shkupi furnizohet me ujë të pijshëm të sigurt.
“Nuk mund të ketë politikë, manipulime apo kompromise kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk do të heshtë nëse shfaqet ndonjë rrezik për shëndetin e banorëve të Shkupit.
