Në Shkup hapet Kuzhina Humanitare “Jetimat e Ballkanit”
Në Shkup është hapur Kuzhina Humanitare “Jetimat e Ballkanit”, një nismë që synon t’u ofrojë ushqim falas familjeve dhe personave në nevojë.
Sipas organizatorëve, kjo kuzhinë ka për qëllim t’u vijë në ndihmë qytetarëve që përballen me vështirësi ekonomike, duke u mundësuar atyre të marrin ushqim falas, në një ambient ku trajtohen me dinjitet dhe respekt.
“Jetimat e Ballkanit” kanë bërë të ditur se hapja e kësaj kuzhine përbën një tjetër hap në misionin e tyre për të qenë pranë familjeve dhe individëve që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.
“Në qytetin e Shkupit hapëm Kuzhinën Humanitare ‘Jetimat e Ballkanit’, një vend ku familjet në nevojë do të mund të marrin ushqim falas, me dinjitet dhe dashuri. Kjo kuzhinë është një tjetër hap drejt misionit tonë për të qenë pranë atyre që kanë më së shumti nevojë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ata kanë shprehur mirënjohje për të gjithë bamirësit dhe kontribuuesit që ndihmuan në realizimin e kësaj nisme.
“Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që kontribuuan, ndihmuan dhe e bënë të mundur hapjen e kësaj kuzhine. Zoti ua shpërbleftë çdo kontribut dhe çdo dorë të shtrirë për të mirën. Bamirës, Zoti kurrë mos ju humbtë!”, përfundon njoftimi.
