MPB: 166 këmbësorë të sanksionuar në kontrollet rrugore në gjithë vendin
Gjatë ditës së djeshme, në të gjithë territorin e vendit, janë sanksionuar 166 këmbësorë për shkelje të rregullave të trafikut, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Kontrolli rrugor u zhvillua më 17 gusht, nga ora 09:00 deri në 15:00, nga Sektori për Punë të Trafikut pranë MPB-së, me qëllim evidentimin dhe sanksionimin e shkeljeve të kryera nga këmbësorët.
Sipas MPB-së, nga 166 këmbësorët e sanksionuar, 137 janë ndëshkuar për shkak të kalimit të pasigurt të rrugës jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë.
“Gjatë kontrollit janë sanksionuar edhe 167 shkelje të tjera të rregullave të trafikut”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga ministria bëjnë të ditur se kontrollet rrugore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe këmbësorët të përdorin vendkalimet e shënuara për kalimin e rrugës.
