LSDM paralajmëron propozim ligj për rritje të pagave
Ndonëse Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i ndërpreru protestat për rritjen e pagës minimale në 600 euro, kjo kërkesë vazhdon të jetë në fokus të partisë opozitare maqedonase, LSDM-së. Kryetari i kësaj partie, Venko Filipçe, tha se partia e tij sërish do të dorëzojë në Kuvend propozim-ligj me të cilin kërkon që paga minimale të rritet në 600 euro. Ai tha se propozimi do të dorëzohet në fillim të shtatorit, pas vazhdimit të punës së Kuvendit, duke vlerësuar se niveli aktual i pagës minimale nuk është i mjaftueshëm për mbulimin e shpenzimeve bazë të jetesës.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Qytetarët nuk mund të mashtrohen. Shifrat që i thotë kryeministri, me sa duket nga bota në të cilën jeton vetëm ai dhe grupi i tij i vogël i njerëzve përreth tij, qytetarët nuk i ndjejnë. Ata i shohin kuletat bosh dhe frigoriferët bosh”.
Filipçe paralajmëroi edhe kërkesë për rritjen e pagave në disa sektorë, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim. Ai iu referua masave që, siç tha, ishin realizuar gjatë qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga LSDM-ja, kur pagat bazë të specialistëve dhe mjekëve ishin rritur për 40 për qind, si dhe pagat e të punësuarve në arsim.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski tashmë ka hyrë në vitin e tretë të punës së saj dhe në asnjë fushë nuk shohim rezultate. Nuk shohim rezultate në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në bujqësi”.
Lideri i LSDM-së vlerësoi se rritja e pagave është e nevojshme për shkak të rritjes së shpenzimeve të jetesës dhe shtoi se me këtë, partia po jep përgjigjen e saj ndaj politikave ekonomike të Qeverisë aktuale.
Samir Mustafa /SHENJA/
