Shoferët me targa të huaja në “radarin” e “Qytetit të Sigurt”: Shkelja regjistrohet, gjoba paguhet online
Ministria e Punëve të Brendshme informon se është vënë në funksion aplikacioni ueb me ndërfaqe për pajisjet mobile “Qyteti i Sigurt”, i cili në këtë fazë është i dedikuar për shtetasit e huaj, përkatësisht për pronarët dhe drejtuesit e automjeteve me targa të huaja.
Përmes aplikacionit, shtetasit e huaj do të mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet në komunikacion të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të kenë qasje në urdhërpagesat e lëshuara për kundërvajtje, si dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.
Gjatë kyçjes në aplikacion, drejtuesi duhet të fotografojë ose skanojë dokumentin e udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që përdor në vendin tonë.
Në këtë mënyrë, drejtuesit e huaj, automjetet e të cilëve evidentohen se kanë kryer kundërvajtje në komunikacion në territorin e gjithë shtetit, do të mund të informohen me kohë dhe në mënyrë të thjeshtë dhe ta përmbushin detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare.
Vendosja në funksion e këtij aplikacioni paraqet një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve të lidhura me sistemin “Qyteti i Sigurt”.
Ministria e Punëve të Brendshme vijon me avancimin e shërbimeve digjitale, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohet zgjerimi i funksionaliteteve edhe për kategori të tjera përdoruesish.
Linku i aplikacionit:
https://safecountry.mvr.gov.mk/login
