Aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh, dyshohet se shantazhoi një person për mbi 13 mijë euro
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit F.Sh. për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës, F.Sh., nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, dyshohet se, si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi.
“F.Sh. ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të Shërbimit Informativ të Serbisë, duke mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Ndërkaq, për veprën penale “Shantazh”, F.Sh. akuzohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13 mijë euro.
“F.Sh. i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit”, thuhet në aktakuzë.
Rasti është proceduar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.