Gjykata rrëzon padinë e MAPL ndaj komunës së Prishtinës, Rama – VV’së: Jeni fatkeqësia e vendit, bllokues në pozitë e opozitë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Vetëvendosjen, duke thënë se për ‘’pothuajse për çdo iniciativë’’, që ka marrë kryeqyteti është bllokuar nga kjo parti.
Rama, ka ndarë në postimin e tij, një vendim të Gjykatës Administrative, ku, bëhet e ditur se kjo gjykatë ka refuzuar një padi të Qeverisë, më saktësisht, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nda komunës së Prishtinës.
Postimi:
BLLOKUES NË POZITË. BLLOKUES NË OPOZITË.
Pothuajse për çdo iniciativë që kemi ndërmarrë për zhvillimin e Kryeqytetit, kemi pas bllokada nga Vetëvendosje! Ja edhe një tentim prej tyre!
Gjykata edhe këtë herë i dha të drejtë Kryeqytetit!
Edhe një betejë institucionale e fituar!
Vetëvendosje, po e përsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi. Keni ardhur në pushtet tu linçu, fabriku e tu tentu me denigru njerëz. Njejtë keni me perfundu!
Pjesë nga vendimi i Gjykatës:
GJYKATA ADMINISTRATIVE E KOSOVËS – Departamenti i Përgjithshëm, me gjyqtaren Rovena Kastrati dhe me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorit profesional Ardian Maxhuni, në konfliktin administrativ të paditëses Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me seli në Prishtinë, të cilën e përfaqëson Naime Abazi nga Avokatura Shtetërore pranë Ministrisë së Drejtësisë, kundër të paditurës Komuna e Prishtinës, të cilën e përfaqëson me autorizim në shkresa të lëndës Kaltrina Belegu, Zyrtare Ligjore pranë të paditurës, duke vendosur lidhur me padinë e paditëses, për shkak të anulimit të vendimit me numër 14.030/01.21504/24, i datës 08.02.2024, për ndryshim-plotësimin e vendimit me numër protokolli 01-031-13761, i datës 19.01.2016, pas mbajtjes së seancës të shqyrtimit kryesor-publik, në prani të përfaqësueses së autorizuar të palës paditëse dhe në mungesë të përfaqësueses ligjore të paditurës, me datë 09.06.2026 mori ndërsa më datë 15.07.2026 përpiloi këtë:
AKTGJYKIM
I. REFUZOHET si e pa bazuar kërkesëpadia e paditëses Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të anulohet vendimi me numër 14.030/01.21504/24 i datës 08.02.2024 për ndryshim-plotësimin e vendimit me numër protokolli 01-031-13761 i datës 19.01.2016 i lëshuar nga Komuna e Prishtinës, Kryetari i Kryeqytetit.
II. Secila palë i bart shpenzimet e veta procedurale.

