Shtrenjtimi i derivateve, Qeveria pretendon se ka strategji për t’u përballur me krizën
Derisa dizeli në RMV prek shifrën alarmante prej 101.5 denarësh për litër, kryeministri Hristijan Mickoski deklaron se “ekziston plan dhe strategji për të tejkaluar këtë situatë”. Mickoski bëri të ditur se kjo gjendje do të zgjasë më shumë se sa është parashikuar por sipas tij qeveria punon me plane dhe ide.
HRISTIJAN MICKOSKI KRYEMINISTËR
“Ne kemi një strategji të qartë, kemi një plan të qartë. Sipas analizave tona, kjo do të zgjasë. Kjo situatë që po ndodh në Gjirin Persik mund të zgjasë edhe disa vite. Po i ndërmarrim hapat me kujdes, në mënyrë që të mos e cenojmë stabilitetin makroekonomik në vend. Nga ana tjetër, synojmë të sigurojmë karburantet bindshëm më të lira për qytetarët dhe industrinë në vendin tonë. E gjithë kjo situatë, për fat të keq, do të zgjasë pak më shumë nga sa parashikohej, pra mund të zgjasë edhe disa vite”.
Ai më tej ka lavdëron vendin se ka derivatet më të lira në rajon, duke bërë krahasime me shtete si Greqia, Kroacia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi.
Ndërkaq nga LSDM than se rritja e çmimit të dizelit përbën një barrë të re për qytetarët dhe bujqit. Nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska tha se dizeli vetëm për gjashtë muaj është shtrenjtuar për 43 % ndërsa kostot më të larta të karburantit do të kenë pasoja edhe në prodhim dhe transport, gjë që, siç paralajmëroi ajo, do të çojë në rritje të reja të çmimeve të ushqimeve.
JOVANA TRENÇEVSKA, NËNKRYETARE E LSDM-SË
“Mbi 100 denarë për një litër dizel do të thotë një goditje e re në çmime për çdo familje maqedonase. Karburanti më i shtrenjtë do të thotë transport më i shtrenjtë, prodhim më i shtrenjtë dhe në fund – ushqime më të shtrenjta. Në kushte kur shporta e konsumatorit është pothuajse 70.000 denarë, dhe pagat janë në stagnim, çdo rritje e re e çmimeve e ngarkon edhe më tej buxhetin familjar”.
Kujtojmë se, seria e rritjeve të çmimeve të derivateve filloi pas shpërthimit të luftës në Iran, e cila pasoi me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Kjo çoi në rrijten e çmimeve të derivateve në tregjet botërore..
Medina Ajeti Ali /SHENJA/
