Sali: Autostrada Shkup–Bllacë afron Shkupin me Prishtinën
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka thënë se fillimi i punimeve për autostradën Shkup–Bllacë është një projekt i rëndësishëm për lidhjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Sipas tij, kjo autostradë do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, lehtësimin e lëvizjes dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Fillimi i punimeve në autostradën Shkup–Bllacë nuk është vetëm një investim në infrastrukturë. Është investim në lidhjen e njerëzve, familjeve, bizneseve dhe tregjeve”, ka shkruar Sali në rrjetet sociale.
Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, dhe kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Sali ka theksuar se, së bashku me konceptin “One Stop Shop”, autostrada do ta bëjë më të lehtë lidhjen mes Shkupit dhe Prishtinës.
“Me ‘One Stop Shop’ dhe autostradën Shkup–Bllacë, Shkupi dhe Prishtina bëhen edhe më pranë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Sali ka thënë se infrastruktura dhe bashkëpunimi mes vendeve janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit dhe për rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Rrugët na lidhin. Bashkëpunimi na zhvillon. Evropa është e ardhmja jonë e përbashkët”, ka shkruar Sali.
