Akuza për “Petar Zdravkovski – Penko”
Këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim në Komunën e Butelit reagojnë ndaj deklaratës së kryetarit të komunës së Butelit dhe mbylljes së paraleles shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko”. Ata thonë se kryetari Darko Kostovski, po tenton që përgjegjësinë për mbylljen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe t’ua bartë Këshillit Komunal. Sipas tyre, kjo nuk është e vërtetë pasi thonë se ata nuk kanë votuar për mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe dhe thonë se nuk pranojnë që emri dhe vota e tyre të përdoren për të legjitimuar një vendim të tillë.
Tabel: AKI-DEGA BUTEL
“Kemi në dispozicion procesverbalin në gjuhën maqedonase dhe procesverbalin në gjuhën shqipe ku në rend dite ka qenë pika e 14. Dhe këtu paraqitet një mospërputhje serioze. Në seancë kanë marr pjesë 19 këshilltar. 11 këshilltar janë të përkatësisë maqedonase dhe 8 jemi shqiptarë. Në versionin e gjuhës maqedone thuhet: 11 vota ‘PRO’, asnjë ‘KUNDËR’ dhe asnjë ‘ABSTENIM’. Ndërsa në versionin në gjuhën shqipe thuhet: 11 vota ‘PRO’, asnjë ‘KUNDËR’ dhe 1 ‘ABSTENIM’.
Kryetari Darko Kostovski përmes një reagimi në facebook ka thënë se ligji për arsim fillor e tregon qartë regjistrimin e nxënësve sipas rajonit. Në rastin konkret shton ai, nga komuna e Butelit kërkohet që të veprohet në kundërshtim me ligjin, më saktësisht që shkollat e kësaj komune të pranojnë nxënës të komunave të tjera. Ai ashpërson qëndrimin e tij edhe më tej, duke thënë se, nuk ka shtypje, kërcënim, mobilizim etnik që e detyrojnë të veproj në kundërshtim me ligjin.
Tabel: Darko Kostovski, kryetar i Komunës së Butelit
“Turpi edhe më i madh është se për qëllime politike po manipulohen fëmijët. Të shfrytëzosh fëmijët për të krijuar tensione etnike dhe grumbullim të pikëve politike është gjëja më e ulët që mund të bësh në politikë. Fëmijët duhet t’i bashkojmë dhe jo t’i ndajmë”.
Disa prindër janë ankuar së fëmijët e tyre nuk janë pranuar në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko”, sepse nuk i përkasin asaj komune. Mirëpo sipas BDI, në të njejtën shkollë janë pranuar nxënës që nuk janë të asaj komune, por që janë të etnisë maqedonase. Gjithashtu në të njëjtën shkollë ishte mbyllur paralelja në gjuhën shqipe, nën arsyetimin se numri i nxënësve është shumë i vogël, kurse BDI pretendon se paralele me numër të vogël të etnisë maqedonase nuk janë mbyllur.
Emine Ismaili Luzha/SHENJA
