Osmani për Bekim Sejdiun: Profesionist i dëshmuar njeri me integritet dhe figurë që e njeh nga afër shtetin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për postin e Presidentit të Republikës.
Osmani ka bërë të ditur publikisht mbështetjen e saj për kandidaturën e Bekim Sejdiut, duke e cilësuar atë si një figurë që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin e nevojshëm për këtë përgjegjësi.
“Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka vlerësuar përvojën dhe integritetin e Sejdiut, duke theksuar se e njeh atë prej 25 vitesh dhe se kanë bashkëpunuar edhe gjatë mandatit të saj si Presidente e Kosovës.
“Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, vendimi për Presidentin i takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës, ndërsa ka bërë thirrje që zgjedhja të udhëhiqet nga interesi shtetëror.
“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!”, ka shkruar ajo.