Buteli mbylli paralelen shqip, këshilltarët shqiptarë lëshojnë seancën
Mbyllja e paraleles shqipe në shkollën fillore Petar Zdravkovski- Penko ka shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi tek partitë shqiptare. Këshilltarët shqiptarë të Komunës së Butelit, të AKI-së dhe VLEN-it lëshuan seancën e sotme në të cilën u diskutua për mbylljen e paraleles shqipe në shkollën Penko. Në pres konferencën e sotme pas lëshimit të mbledhjes, nga VLEN thanë se nga kryetari i Komunës së Butelit dhe udhëheqësia e shkollës “Penko” nuk kërkojnë arsyetime dhe as bartje të përgjegjësisë por kërkojnë veprim, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje. Siç thotë VLEN-i fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve institucionale dhe se e drejta për arsim dhe interesi i tyre duhet të jenë mbi çdo interes tjetër.
ARBESA RAMANI, VLEN
“VLEN kërkon zgjidhje të shpejtë, të drejtë dhe institucionale për nxënësit të cilëve u është pamundësuar regjistrimi në SHFK “Petar Zdravkovski–Penko” në Komunën e Butelit. Vetë vendimi për rajonizimin, përmes neneve 7, 8 dhe 9, nuk e përjashton mundësinë e regjistrimit të nxënësve nga rajone apo komuna të tjera, nëse ekzistojnë vende të lira dhe plotësohen kushtet e përcaktuara. Për më tepër, parashihet përparësi për nxënësit që jetojnë deri në 2 kilometra nga shkolla”.
Nga AKI thanë se në mbledhje gjatë debatit, këshilltarët duheshte të përpilojnë një pikë në të cilën do të duheshte ta vendosin në rend të ditës dhe ta votojnë që paralelja në Penko të mos mbyllet dhe të vazhdojë me mësim. Sipas tyre, ata e përpiluan atë propozim por përgjigjja nga kryetari ishte decide se çështja ishte një fakt i kryer dhe paralelja nuk mundet më të vazhdojë.
LINKEST LUMANI, AKI
“Përgjigja nga kryetari ishte decide se nuk mundet të vazhdojë ajo paralele dhe se është veq se më fakti i kryer, e nxorëm në votim, natyrisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës dhe ne u detyruam të dalim dhe ta lëshojmë mbledhjen. NENI 7 thotë se mund të regjistrohen edhe nga komuna te tjera, kryetari i komunes e ka nda mendjen të mos e respekton ligjin edhe përkundër kërkesave të shumta të prindërve. Nuk mban ajo se nuk ka nxënës të interesuar por kryetari i komunës nuk e respekton ligjin dhe nuk i respekton nenet që janë në vendimin për rajonizim, thiret në diqka tjetër pa e konkretizuar për çfarë”.
Ndërkaq, ministrja Vesna Janevska e pyetur sot lidhur me këtë çështje tha se me Ligjin për Decentralizim, shkollat janë të decentralizuara dhe nën juridiksionin e komunave dhe se ligjet duhet të respektohen.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Nuk bëhet fjalë vetëm për nxënësit shqiptarë. Bëhet fjalë për nxënësit shqiptarë dhe nxënësit maqedonas. Kryetarët e komunave dhe drejtorët e shkollave duhet të respektojnë ligjin dhe duhet të vendoset rendi. Prandaj u shpik rajonalizimi. Këto janë dy komuna të ndryshme, njëra është komuna e Çairit dhe tjetra është komuna e Butelit. Fëmijët nga komuna e Çairit, maqedonas, shqiptarë, turq, çfarëdo që janë, duhet të mësojnë në komunën e Çairit, dhe fëmijët nga komuna e Butelit, çfarëdo që janë, maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, boshnjakë apo romë, duhet të mësojnë në komunën e Butelit, ku edhe u takon”
Partitë shqiptare kërkojnë që rregullat të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët. Ata thonë se është e papranueshme që në shkolla të tjera të Komunës së Butelit të pranohen nxënës nga komuna të tjera, ndërsa fëmijëve që jetojnë në afërsi të SHFK “Petar Zdravkovski–Penko” t’u mohohet mundësia për t’u regjistruar në shkollën më të afërt, aty ku ekzistojnë kapacitete reale.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/
