Zyrtarisht shënohet fillimi i qarkullimit të “Trenit urban” drejt Zelenikovës
Kryeministri Hristian Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtuesit e ndërmarrjeve hekurudhore “Transport” dhe “Infrastrukturë”, dhe punonjësit e tyre, këtë mëngjes, të shoqëruar nga mediat, u nisën me trenin urban nga stacioni hekurudhor në Zelenikovë drejt Shkupit.
Udhëtimi simbolik bëhet me rastin e promovimit zyrtar të projektit “Treni urban”, në linjën e parë nga tre linjat e planifikuara, e cila operon nga Zelenikova – Novo Zelenikovë – Oreshan – Jane Sandanski – Draçevë – Lisiçe dhe Stacioni i ri hekurudhor Shkup.
Projekti “Treni urban” është ide e kësaj Qeverie, me qëllim që qytetarët e Shkupit, si nga zonat periferike ashtu edhe nga pjesët qendrore të qytetit, të kenë transport publik urban më të shpejtë, më efikas dhe më të përballueshëm. Qëllimi është që pjesët periferike të Shkupit të lidhen me zonën qendrore të qytetit, që do të nënkuptojë udhëtim më të lirë, kohë më të shkurtër udhëtimi, më pak pritje dhe transport publik më të shpejtë.
“Infrastruktura hekurudhore”, për nevojat e projektit “Treni urban”, ka kryer rikonstruksionin e plotë të linjës hekurudhore, me qëllim rritjen e standardit dhe kapacitetit të shpejtësisë në këtë relacion.
Trafiku në linjën Zelenikovë – Stacioni i ri hekurudhor Shkup do të realizohet me tre trena, sipas orarit të saktë të udhëtimit të përcaktuar nga HM “Transport”.
Në vijim po punohet edhe për projektimin e linjës së dytë dhe të tretë të “Trenit urban”, njëra nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Butelit dhe Shkup-Veri deri në Gjorçe Petrov, dhe tjetra nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Autokomandës dhe Maxharit deri në Ilinden.
