Durmishi: Ali Ahmeti u detyrohet shqiptarëve të vërtetën
Ministri i Ekonomisë dhe përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Besar Durmishi, në një konferencë për media ngriti disa pyetje ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke kërkuar prej tij përgjigje lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.
Deklaratat e Durmishit erdhën pas paraqitjes publike të ish-funksionarit të lartë të BDI-së dhe një prej figurave të rëndësishme të vitit 2001, Gëzim Ostreni, i cili ka akuzuar Ahmetin se ka pranuar që gjuha shqipe të mos përmendet me emër në Marrëveshjen e Ohrit dhe në ndryshimet kushtetuese që pasuan.
Sipas Durmishit, për më shumë se dy dekada shqiptarëve u është prezantuar vetëm një version i Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa deklaratat e Ostrenit, sipas tij, kanë hapur një debat të ri për mënyrën se si është negociuar marrëveshja.
“Ka disa të vërteta që janë të dhimbshme, por duhet të thuhen. Për më shumë se 20 vjet, shqiptarëve u është treguar vetëm njëra anë e Marrëveshjes së Ohrit. Sot, një pjesë tjetër po del në shesh”, tha Durmishi.
Ai iu referua deklaratave të Ostrenit, i cili ka thënë se, ndërsa Ahmeti drejtonte procesin politik, gjuha shqipe nuk u përfshi me emër në Kushtetutë, ndërsa përdorimi i formulimit të bazuar në përqindjen e popullsisë mbeti në fuqi.
Sipas Durmishit, Ostreni kishte besuar fillimisht se bëhej fjalë për gjuhën shqipe, por vetëm vite më vonë kishte kuptuar se në Kushtetutë nuk ishte përcaktuar shprehimisht “gjuha shqipe”, por gjuha e komunitetit që përbën mbi 20 për qind të popullsisë.
“Madje, sipas vetë Ostrenit, kërkesa ishte që Maqedonia të bëhej shtet shqiptaro-maqedonas. Në fund, gjuha jonë mbeti pa emrin e saj, e fshehur pas përqindjes”, deklaroi Durmishi.
