Sekuestrohen rreth dy tonë mish i pasigurt, do të shkatërrohen në “Drislla”
Rreth dy tonë mish i freskët dhe i ngrirë i pasigurt, si dhe produkte të përgatitura nga mishi, janë sekuestruar dje gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese në objektet e shitjes me pakicë në territorin e Komunës së Radovishit, përcjell TV21. Sipas parlajmërimit të autoriteteve, produktet e sekuestruara sot do të shkatërrohen në deponinë “Drislla”.
Kontrollet janë kryer nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila dje ka inspektuar edhe një person fizik në fshatin Pepelishtë të Negotinës, që ushtronte veprimtari të paautorizuar për prodhimin e produkteve të tymosura të mishit dhe fërgesave, të cilat i shiste përmes rrjeteve sociale.
Nga ky person janë sekuestruar 50 kilogramë produkte mishi, përfshirë mish të tymosur dhe proshutë të tymosur.
Sipas AUV-së, produktet nuk kishin deklaratë për origjinën dhe ishin ruajtur e përpunuar në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike, duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia njofton se kontrollet inspektuese do të vazhdojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e prodhimit dhe tregtimit të paligjshëm të ushqimit të pasigurt.