LSDM akuzon për mungesën e 250 asistentëve, MASH mohon
Nga LSDM sot kanë akuzuar se rreth 250 fëmijë me aftësi të kufizuara, shumica prej të cilëve janë nxënës të klasës së parë, e filluan vitin shkollor pa asistent arsimor. Jovançe Manaskov nga Komisioni i Arsimit i LSDM-së tha se kjo është vazhdimësi e problemeve në arsim me të cilat përballen nxënësit dhe prindërit çdo vit shkollor. Ai tha se LSDM pyet pse Ministria e Arsimit nuk i siguroi asistentët në kohë, veçanërisht nëse, siç pretendon partia, shkollat kanë paraqitur kërkesa për ndihmë arsimore për nxënësit e klasës së parë deri më 30 qershor, pasi kanë përfunduar regjistrimet.
JOVANÇE MANASKOV, LSDM
“Çfarë bëri Ministria e Arsimit me ato kërkesa? Sepse nëse procedura e punësimit zgjat më shumë se 20 ditë, atëherë është e qartë se edhe duke filluar procedurën tani, disa nga këta fëmijë realisht do të merrnin një asistent arsimor vetëm pas 20 shtatorit. Fëmijët nuk janë vetëm një numër në një tabelë. Ata kanë të drejtën për arsim, të drejtën për mundësi të barabarta dhe të drejtën për mbështetje sipas nevojave të tyre individuale.”
Akuzës së LSDM-së I janë përgjigjur nga Ministria e Arsimit dhe shkencës, duke i hedhur poshtë si të pasakta akuzat se nxënësit me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa asistentë arsimorë. Ata deklaruan se qeveria e mëparshme dështoi të ofrojë mbështetje të mjaftueshme për të gjithë nxënësit në shtatë vjet, duke kujtuar se në vitin 2024, vetëm 800 asistentë u punësuan në arsimin fillor, ndërsa nuk kishte asnjë në arsimin e mesëm.
MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Sot situata është krejtësisht e ndryshme. 1,358 asistentë arsimorë janë punësuar në arsimin fillor dhe 166 në arsimin e mesëm. Deri më tani, numri më i madh si dhe është duke u zhvilluar një procedurë për të punësuar një numër shtesë profesionistësh që do t’u ofrojnë ndihmë arsimore fëmijëve, sipas nevojave të raportuara të prindërve të tyre”.
Nga LSDM kërkuan që Ministria e Arsimit të zgjidhë urgjentisht problemin dhe të sigurojë që asnjë fëmijë me aftësi të kufizuara të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme arsimore. Ndërkaq nga MASH thanë se po i forcojnë më tej shërbimet profesionale në shkolla dhe paralelisht, po punojnë për përmirësimin e aksesueshmërisë fizike përmes ndërtimit të rampave dhe tualeteve të aksesueshme.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/