E rëndë | 47-vjeçari ndërron jetë pas kthimit nga Ulqini – familja kërkon të sqarohet shkaku i vdekjes
Një familje në Pejë po përballet me humbjen e papritur të një të afërmi, i cili ka ndërruar jetë mbrëmjen e së dielës në Spitalin e Përgjithshëm, vetëm pak kohë pasi ishte kthyer nga Ulqini.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Nexhmedin Boletinin, 47-vjeçar, i cili është dërguar nga familjarët në Emergjencë për shkak të problemeve serioze me frymëmarrjen dhe gjendjes së rënduar shëndetësore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në momentin e pranimit në spital ai kishte parametra të ulët jetësorë.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta mbajtur në jetë, rreth orës 23:40 është konstatuar vdekja e tij.
Në spital ka qenë edhe vëllai i të ndjerit, i cili ka kërkuar që të sqarohen plotësisht rrethanat e vdekjes.
Ai ka bërë me dije se vëllai i tij ishte kthyer po atë ditë nga Ulqini, ku kishte qëndruar nga 5 deri më 13 shtator, ndërsa familja nuk kishte njohuri të plota për rrethanat e qëndrimit të tij atje.
Për këtë arsye, familja ka kërkuar që trupi t’i nënshtrohet obduksionit, në mënyrë që të përcaktohet me saktësi shkaku i vdekjes dhe të eliminohet çdo paqartësi.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar nisjen e hetimeve dhe dërgimin e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Në trajtimin e rastit janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë në Pejë.
Rreth orës 03:30, trupi i pajetë është marrë për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa shkaku i saktë pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjekoligjore.