Gashi: Intuita më thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme
Tani kur tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është aktualizuar sërisht, aktorët kryesor në shtet, pyeten për mundësinë e mbajtjes së tyre. Kryeparlamentari Afrim Gashi shprehet i bindur se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Ndërsa këtë bindje thotë se e bazon në intuitën e tij politike.
Afrim Gashi, kryeparlamentar
“Sipas meje, zgjedhje të parakohshme nuk duhet të ketë dhe jam i bindur se nuk do të ketë”.
Lidhur me Kodin e ri Zgjedhor, kryeparlamentari Gashi tha se pavarësisht se kur mbahen zgjedhjet, Kodi Zgjedhor duhet të miratohet. Ndërsa shtoi se partitë politike duhet të vazhdojnë komunikimet për Kodin Zgjedhor.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski foli për Kodin Zgjedhor. Ai tha se kur të formoj qëndim opozita, atëherë do të zhbllokohet puna e grupeve për Kodin Zgjedhor.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë pres qëndrim të përbashkët, sepse ashtu e përfunduam situatën paraprake sfiduese, qëndrim nga opozita e bashkuar Levica-LSDM-BDI. Kur të kenë qëndrim të përbashkët si opozitë e bashkuar, jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët”.
Kryeministri ka thënë se nuk planifikon zgjedhje të parakohshme, mirëpo nëse opozita paraqet një kërkesë të tillë, VMRO-DPMNE do ta mbështes. E këtë deklaratë të tij e përshëndeti edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Ndërkaq, Kodi i ri Zgjedhor ka mbetur i bllokuar për shkak të qëndrimeve të ndryshme të partive politike.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/