Vjeshta mbërrin sonte në orën 02:05, do të zgjasë deri më 21 dhjetor në orën 14:50
Vjeshta në vend dhe në hemisferën veriore do të fillojë sonte në orën 02:05 pas mesnate. Në të njëjtën kohë, në hemisferën jugore të Tokës do të nisë pranvera, përcjell TV21. Dita e parë e vjeshtës është dita e 266-të e vitit dhe do të zgjasë 12 orë e 7 minuta. Në Shkup, dielli do të lindë në orën 06:22, ndërsa do të perëndojë në orën 18:30. Deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 99 ditë.
Kalimi në stinën e re shënohet me ekuinoksin e vjeshtës – momentin kur Dielli, i parë nga Toka, kalon ekuatorin qiellor dhe vazhdon lëvizjen e tij të dukshme drejt hemisferës jugore. Pas ekuinoksit të vjeshtës, hemisfera veriore hyn në një periudhë të shkurtimit gradual të ditëve dhe zgjatjes së netëve. Ky trend vazhdon deri në solsticin dimëror në dhjetor.
Vjeshta këtë vit do të zgjasë deri më 21 dhjetor në orën 14:50, kur kalendarikisht fillon dimri.
Në ditën e parë të vjeshtës, sipas sinoptikanëve, mëngjesi do të jetë i kthjellët dhe më i ftohtë, ndërsa më pas do të jetë me diell, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 23 gradë Celsius.