Përplasje në Këshillin e Kumanovës: Huzeir Mustafi nga AKI kërkon dorëheqjen e kryetares pas shkeljeve të rregullores
Këshilltari nga radhët e Aleancës Kombëtarë për Integrim (AKI), Huzeir Mustafi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetares së Këshillit Komunal të Kumanovës, Ivana Gjorgjievska duke kërkuar publikisht dorëheqjen e saj për shkak të shkeljeve të përsëritura të Rregullores së punës, njofton Tv Festa.
Mustafi ka reaguar ashpër lidhur me mbarvajtjen e punimeve të organit komunal, duke rikthyer në vëmendje seancën e ndërprerë disa javë më parë.
„Reagimi im procedural lidhet me shkeljet e Rregullores që kanë ndodhur në seancën e ndërprerë para 22 ditësh. Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së harmonisë mes partive të pushtetit, ndërsa si arsyetim u dha mungesa e kuorumit. Kryetarja e Këshillit duhet të kujdeset që Rregullorja të respektohet dhe procedurat të zbatohen drejt, jo që ato të përdoren për të mbuluar problemet dhe mosmarrëveshjet politike brenda pushtetit lokal“, është shprehur Mustafi.
Më tej, ai ka theksuar se Këshilli Komunal është një institucion i lartë vendor që kërkon përgjegjësi, transparencë dhe zbatim strikt të rregullave ligjore.
Sipas Mustafit, nëse këto parime bazë nuk arrijnë të garantohen nga drejtuesja e tanishme, dorëheqja e saj mbetet e vetmja rrugëdalje e përgjegjshme për të rikthyer normalitetin në funksionimin e Këshillit, informon Tv Festa.