Bit Pazari me pamje të re, buldozerët rrënojnë tezgat e vjetra
Pas vitesh kaos, Bit Pazari në Shkup pritet të marrë një pamje tërësisht të re. Komuna e Çairit ka filluar procedurat për modernizimin e një prej tregjeve më të frekuentuara në qytet, përskaj Bulevardit afër qendrës tregtare “26 Korriku”, në afërsi të Bit Pazarit, me planin që të zëvendësohen tezgat e vjetra, të mbulohet hapësira e pazarit dhe të krijohen kushte më të mira për tregtarët dhe qytetarët.
Këtu ku prej vitesh mbizotëronte kaosi, sot kanë hyrë makineritë e rënda. Tezgat dhe konstruksionet e vjetra po shemben njëra pas tjetrës, ndërsa kamionët po pastrojnë hapësirën ku për vite zhvillohej tregtia. Por kjo nuk është vetëm një pamje e zakonshme pune. Është fillimi i ndryshimit të paralajmëruar prej kohësh për Bit Pazarin.
Sipas paralajmërimeve është paraparë të mbulohet pazari nga të dyja anët me materijale cilësore montuese, të zëvendësohen tezgat e vjetra me të reja, dhe mbi to të ndërtohet parking montues me kapacitet prej 240 vende të parkimit duke u mundësuar kështu edhe kushte sanitaro higjienike më të mira.
Ky plan i ri parashikon modernizimin e tregut, ndërsa aktualisht po zhvillohet edhe prezantimi publik i planit detal urbanistik. Ndërsa tashmë mbetet të shihet se si do të duket Bit Pazari pasi ky proces të përfundojë.