Hyseni “godet” Maksin për tre gishtat serbe: Mjaft me provokime nacionaliste
Çështja e deponisë dhe menaxhimi i mbeturinave në qytet ishin ndër temat e diskutuara në seancën e 18-të të Këshillit të Komunës së Kumanovës. Gjatë debatit, këshilltari i AKI-së, Blerim Hyseni, kritikoi mënyrën se si, sipas tij, trajtohen problemet që lidhen me pastërtinë dhe deponinë e qytetit.
Hyseni tha se këshilli duhet të ketë përballë personat dhe institucionet kompetente për problemin, në vend që përgjegjësia të përqendrohet te drejtori i ndërmarrjes publike.
“Më vjen keq që në seancat e këshillit nuk përballemi me njerëz kompetentë, ku burimi kryesor i problemit është, por përballemi me drejtorin, i cili me gjithë kapacitetet e tij mundohet të gjejë zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me pastrimin e qytetit”, deklaroi Hyseni.
Sipas tij, kjo situatë e vendos drejtorin në pozitë të pafavorshme, ndërsa personat që, sipas tij, duhet të merren drejtpërdrejt me problemin mungojnë në seancat e këshillit. Hyseni kritikoi gjithashtu edhe prioritetet e pushtetit lokal, duke thënë se Kumanova përballet me probleme të shumta të brendshme, përfshirë gjendjen financiare të ndërmarrjeve publike. Ai e lidhi këtë edhe me aktivitetet publike të kryetarit të Komunës së Kumanovës, për të cilat tha se në rrjetet sociale vërehen më shumë vizita dhe takime jashtë vendit sesa angazhim rreth problemeve lokale.
“Shpeshherë të krijohet përshtypja nga ajo që shohim në rrjetet sociale se kryetari i Komunës së Kumanovës më shumë i ngjan një ministri të Punëve të Jashtme sesa një kryetari komune”, tha Hyseni, duke përmendur vizitat në Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në komunat e Serbisë.
Në fjalën e tij, këshilltari i AKI-së u ndal edhe te retorika politike dhe, siç e quajti ai, “provokimet nacionaliste”, duke vlerësuar se këto tema nuk duhet të zënë vend në një kohë kur qyteti përballet me probleme konkrete. “Kur qyteti i Kumanovës ka probleme jetike dhe të gjitha ndërmarrjet publike janë në krizë të thellë financiare, ne zgjedhim mjetin më të dëmshëm për qytetin, provokimet nacionaliste që bëhen në adresë të qytetarëve”, theksoi Hyseni. Ai nënvizoi se legjitimiteti i kryetarit të komunës nga qytetarët nuk është kontestuar, por shprehu pakënaqësi për atë që e konsideron si fokus të pamjaftueshëm të pushtetit lokal ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve.