BDI: Dhuna ndaj dy të rinjve kërkon përgjegjësi institucionale
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot përmes një komunikate kërkon zbardhjen e plotë të rastit të dy të rinjve, 21 dhe 23 vjeç, të cilët, sipas deklaratave të tyre, janë dhunuar brutalisht nga policia.
“Sipas raportimeve, në Raportin e brendshëm policor pretendohet se të rinjtë ia kanë marrë pistoletën një polici, ndërsa sipas deklaratave të tyre, arma ka përfunduar në veturë pasi policia ua ka thyer xhamin. Ata gjithashtu deklarojnë se policët kanë shtënë me armë, ua kanë shpuar gomat e veturës dhe më pas i kanë dhunuar, pasi i kanë lidhur dhe shtrirë përtokë.
Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e zyrtarëve policorë.
Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion! BDI kërkon dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, reagon BDI. (INA)