Trepça mohon se minatori nuk është paguar për një vit: Pagat janë ekzekutuar rregullisht
Trepça Sh.A. ka reaguar pas deklaratës së babait të njërit prej minatorëve që mbetën të bllokuar në minierë, i cili kishte thënë se djali i tij nuk ka marrë pagë prej një viti.
Në një reagim zyrtar, ndërmarrja ka mohuar këtë pretendim, duke thënë se ai nuk përputhet me evidencën zyrtare të pagesave.
“Pagat e punëtorit G.T. janë realizuar në mënyrë të rregullt, sikurse edhe për punëtorët e tjerë të ndërmarrjes”, thuhet në reagimin e Trepçës.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se pagat ekzekutohen rregullisht nga data 3 deri më 7 të çdo muaji, duke theksuar se ka arritur stabilitet financiar.
Reagimi vjen pasi babait i minatorit, i cili, mes shqetësimit për të birin që kishte mbetur i bllokuar në nëntokë, tha se ai punon si minator prej gjashtë vitesh dhe se nuk kishte marrë pagë për një vit.
Lidhur me këtë kishte reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka shprehur solidaritet me familjet e minatorëve.
“Prindërit dhe familjet tona nuk e meritojnë këtë shqetësim. Ata kanë sakrifikuar gjithë jetën për ne dhe nuk u kemi borxh t’ua shtojmë edhe një barrë mërzie e frike”, thuhej në reagimin e sindikatës.
Trepça ka shprehur shqetësim për publikimin e këtij pretendimi nga disa media pa kërkuar paraprakisht qëndrimin e ndërmarrjes.