Super-aksion i MPB-së dhe FBI-së: Tetovari 20-vjeçar pjesë e hetimeve të platformës ilegale kibernetike
Si rezultat i një hetimi të suksesshëm të koordinuar ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI), është zbuluar administratori i tregut ilegal onlajn „OLVX“, përmes të cilit ofroheshin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale të qasshme dhe mjete për kryerjen e krimeve kompjuterike.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër E.A. (20) nga fsh. Reçicë e Madhe, rrethinë e Tetovës, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale „mashtrim kompjuterik“, „keqpërdorim i të dhënave personale“ dhe „prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve“.
Aksioni është rezultat i informacioneve fillestare të siguruara nga FBI-ja, pas çka ka vijuar një hetim i përbashkët dhe i koordinuar, i orientuar në zbulimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale që lidhen me tregun ilegal onlajn „OLVX“.
Sipas provave të siguruara, i kallëzuari, gjatë periudhës nga viti 2023 deri në vitin 2025, ka qenë administrator i domeneve dhe ueb- faqeve të lidhura me platformën „OLVX“, e cila shërbente si treg ilegal për shitjen e të dhënave të vjedhura digjitale, mjeteve softuerike dhe shërbimeve të destinuara për kryerjen e veprave penale.
Përdoruesit kryesorë të platformës ishin kriminelët kibernetikë, të cilët i blinin dhe i shisnin të dhënat personale dhe kredencialet e qasjes në llogaritë e përdoruesve dhe rrjeteve kompjuterike të viktimave. Gjatë periudhës së funksionimit të platformës, ishin ofruar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje.
Hetimi ka konstatuar gjithashtu se gjatë periudhës nga viti 2025 deri në vitin 2026, i kallëzuari ka administruar edhe një grup ilegal onlajn me emrin „ONEMILI“ në aplikacionin e komunikimit „Telegram“.
Përmes këtij grupi ofroheshin shërbime dhe mjete softuerike për kryerjen e krimeve kompjuterike, përfshirë edhe mashtrime që lidhen me kthimin e paligjshëm të mjeteve financiare.
Më tej, janë siguruar prova se i kallëzuari, përmes aplikacionit „Telegram“, ka siguruar dhe poseduar për përdorim personal materiale që përmbajnë keqpërdorim seksual të fëmijëve.
Ky operacion përfaqëson operacionin e parë të përbashkët dhe të koordinuar kibernetik ndërmjet MPB-së dhe FBI-së, duke konfirmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor në zbulimin dhe luftimin e formave bashkëkohore të krimit të organizuar kompjuterik.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale, mbetet e përkushtuar fuqishëm në luftën kundër krimit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e qytetarëve në hapësirën digjitale.
Bashkëpunimi i suksesshëm me FBI-në përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve për luftimin e krimit kompjuterik transnacional dhe dërgon një mesazh të qartë se hapësira digjitale nuk duhet të shërbejë si strehë për aktivitete kriminale.