Mesazh special nga Gen Z: “Shqipëria nuk është vendi nga ku duhet të ikim, por vendi ku duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë”
TIRANË – Një mesazh i veçantë nga gjenerata e re, Gen Z, vjen me një thirrje për shpresë, ndryshim dhe një të ardhme më të mirë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e qëndrimit në atdhe dhe ndërtimit të mundësive brenda vendit.
Në këtë mesazh, Gen Z shprehet se synimi është që të rinjtë të mos detyrohen më të largohen nga Shqipëria për të kërkuar një jetë më të mirë në vende të huaja, por të kenë mundësinë të jetojnë, të punojnë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre në tokën e të parëve.
“Europën nuk do ta shohim më si një derë arratisjeje, por si një derë bashkëpunimi”, thuhet në mesazh, ku theksohet se udhëtimet jashtë vendit duhet të shërbejnë për dije, zhvillim profesional dhe shkëmbim përvojash, me qëllimin që të rinjtë të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre.
Mesazhi përcjell gjithashtu një thirrje për të ardhmen e Shqipërisë, duke vënë në qendër dëshirën e brezit të ri për të jetuar, ëndërruar dhe ndërtuar një jetë dinjitoze në atdhe.
“Shqipëria nuk është vendi nga ku duhet të ikim. Është vendi që duhet ta bëjmë të denjë për të ardhmen tonë dhe për brezat që vijnë.”
Një mesazh që synon të rikthejë shpresën dhe besimin se e ardhmja e Shqipërisë mund të ndërtohet nga vetë të rinjtë, në vendin ku kanë rrënjët dhe ëndrrat e tyre./Shprehja.com