Milioneri më i ri në Maqedoninë e Veriut është vetëm 4 vjeç, më i moshuari 97
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka publikuar analizën më të fundit financiare për vitin 2025, e cila nxjerr në pah të dhëna mjaft me interes mbi të ardhurat e deklaruara nga qytetarët.
Sipas këtij raporti, milioneri më i ri në vend është një fëmijë vetëm 4-vjeçar, i cili gjatë vitit 2025 ka realizuar të ardhura prej një milion denarësh vetëm nga dividentët. Në krahun tjetër, qytetari më i moshuar me të ardhura milionëshe është një 97-vjeçar, i cili shumën e tij financiare e ka siguruar përmes pensionit dhe burimeve të tjera plotësuese.
Gjatë vitit 2025 janë dorëzuar më shumë se 860 mijë deklarata vjetore tatimore nga qytetarët, që paraqet një rritje prej 10,6 për qind krahasuar me vitin 2024. Numri më i madh i deklaratave është regjistruar në Shkup, i pasuar nga Shtipi, Prilepi, Manastiri, Tetova dhe Strumica.
Pjesa më e madhe e të ardhurave të realizuara në nivel vendi vazhdon të sigurohet nga pagat, ku paga më e lartë e paguar ka arritur vlerën prej 139 milionë denarësh në veprimtarinë “Nxjerrja e gurit dhe qymyrit”. Sidoqoftë, fitimet më të mëdha financiare vijnë nga ndarja e fitimit të bizneseve, meqë tri dividentët më të larta të deklaruara kanë tejkaluar edhe vlerën e pagës më të lartë rekord, ndërsa janë paguar nga kompani me seli në Gjevgjeli, Ohër dhe Haraçinë.(INA)