Pas vrasjes së Arlindës, VV-ja kërkon komision hetimor dhe seancë të jashtëzakonshme në Kuvend
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Këtë e ka bërë të ditur deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se seanca synohet të mbahet gjatë ditës së sotme.
“Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, e cila tri ditë më parë kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, është një tragjedi që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Si Grup Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që të mbahet sot. Si hap të parë, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve”, u shpreh Nagavci.
Shefja e VV-së tutje shkroi se Arlinda kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Përgjegjësia matet me aftësinë për ta parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë.
Në fund të postimit ish-ministrja e arsimit the se çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë.