Shkup: Dy ditë kontrolle falas për të parandaluar rrezikun nga goditja në tru
Me rastin e 29 Tetorit – Ditës Botërore të Goditjes në Tru, Klinika e Neurologjisë organizon kontrolle dhe matje parandaluese falas për qytetarët.
Më 27 tetor, në plato-në para restorantit “Pelister”, në sheshin “Maqedonia” në Shkup, qytetarët do të mund të matin falas tensionin e gjakut, nivelin e sheqerit dhe kolesterolit në gjak, si dhe të vlerësojnë rrezikun nga goditja në tru.
Më 28 tetor, nga ora 11:00 deri në 13:00, në Klinikën e Neurologjisë do të mbahet ditë e hapur për qytetarët, gjatë së cilës do të kryhen falas ekzaminime Doppler të arterieve karotide.
“Kontrollet janë në dispozicion për të gjithë qytetarët e interesuar, në orarin e përcaktuar, pa kufizim të numrit të ekzaminimeve”, deklaroi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Neurologjisë, dr. Jovan Bozhinovski.
Ai theksoi se goditja në tru përbën një sfidë të rëndësishme për shëndetin publik, ndërsa njohja me kohë e shenjave paralajmëruese, kontrolli i faktorëve të rrezikut dhe marrja e shpejtë e ndihmës së duhur mjekësore janë thelbësore për të zvogëluar pasojat dhe për të shpëtuar jetë njerëzish.