Policia nuk i njeh dokumentet digjitale, qytetarët duhet t’i mbajnë dokumentet plastike edhe shqipja mungon në versionin elektronik
Aplikacioni i ri shtetëror m.Uslugi ofron letërnjoftimin dhe lejen e vozitjes në telefon, por ato ende nuk mund të përdoren gjatë identifikimit nga policia. Përveç kësaj, dokumentet digjitale shfaqen në maqedonisht dhe anglisht, por jo në shqip.
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut do të duhet të vazhdojnë t’i mbajnë me vete letërnjoftimet dhe lejet e vozitjes në formë plastike, pavarësisht se tashmë kanë mundësi t’i kenë ato edhe në telefon përmes aplikacionit të ri shtetëror m.Uslugi, raporton SDK.mk.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka konfirmuar se dokumentet digjitale për momentin nuk do të pranohen gjatë kontrolleve policore, pasi nevojiten ndryshime në ligje dhe rregullore për njohjen e tyre zyrtare.
Sipas Andonovskit, deri në përfundimin e këtyre ndryshimeve, qytetarët duhet të paraqesin dokumentet fizike kur policia kërkon identifikimin e tyre.
Përveç çështjes së vlefshmërisë së dokumenteve elektronike, aplikacioni ngre edhe një pikëpyetje tjetër që lidhet me përdorimin e gjuhëve zyrtare.
Ndonëse aplikacioni m.Uslugi ofron ndërfaqe në gjuhën shqipe, sipas vërejtjeve të përdoruesve, letërnjoftimi dhe leja e vozitjes në versionin digjital shfaqen në gjuhën maqedonase dhe angleze, ndërsa mungon versioni në shqip.
Kjo ngre pyetjen se pse gjuha shqipe është e disponueshme në aplikacion, por nuk shfaqet edhe në dokumentet personale digjitale.
Duke pasur parasysh statusin zyrtar të gjuhës shqipe në vend, mbetet të sqarohet nëse kjo është një mangësi teknike e versionit fillestar apo një çështje që kërkon ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Aplikacioni m.Uslugi u prezantua zyrtarisht më 28 tetor dhe synon të mundësojë qasje më të lehtë në dokumentet personale dhe shërbimet elektronike shtetërore. Përdorimi i tij është falas dhe vullnetar, ndërsa në të ardhmen parashikohet zgjerimi i shërbimeve, përfshirë edhe mundësinë e pagesave elektronike.
Megjithatë, deri në përshtatjen e legjislacionit dhe sistemeve të kontrollit, qytetarët duhet t’i mbajnë dokumentet fizike. Ndërkohë, mbetet e hapur edhe çështja e përfshirjes së gjuhës shqipe në versionet digjitale të letërnjoftimit dhe lejes së vozitjes, për të cilën pritet sqarim nga institucionet kompetente./Shprehja