Mickoski shpërthen pas humbjes në Bërvenicë: „Ne me program, ata me kartën nacionaliste dhe nga një kalë Troje për të na marrë votat – vetëm kundër të gjithëve!“
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës, ku kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, nuk arriti të fitojë garën për kryetar komune.
Mickoski deklaroi se VMRO-DPMNE garoi me program zgjedhor dhe vizion për zhvillimin e komunës, ndërsa kundërshtarët, sipas tij, shfrytëzuan demografinë, kartën kombëtare dhe kandidatë që shërbyen për të tërhequr vota.
Ai theksoi se partia ka shënuar rritje të konsiderueshme të votave, nga 3.000 në raundin e parë në 4.200, si dhe 1.300 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për fitore.
Mickoski falënderoi të gjithë banorët e Bërvenicës, pavarësisht nëse votuan për kandidatin e tij apo jo, duke premtuar se të gjithë qytetarët do të kenë mbështetjen e Qeverisë.
„Një Bërvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept, është mënyrë e të punuarit”, përfundoi Mickoski./Shprehja