Gjykimi për rastin “Puls” vazhdon me marrjen në pyetje të ekspertit të mbrojtjes
Me prezantimin e provave të propozuara nga mbrojtja sot në gjyqin në burgun e Idrizovës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup do të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.
Në seancën e sotme, siç është paralajmëruar, do të merret në pyetje eksperti i propozuar nga mbrojtja e të pandehurës, Milka Edrovska – inxhiniere nga kompania “Venci proekt”.
Më parë ka përfunduar seanca e ekspertit Petre Ruseski i cili ka përgatit ekspertizën për të pandehurin e parë Dejan Jovanov dhe dy të pandehurit e tjerë për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.
Gjatë disa seancave, Prokuroria ka kundërshtuar konkludimet e tij në lidhje me ndërhyrjet ndërtimore në ndërtesë, dokumentacionin dhe kushtet për evakuim, ndërsa Ruseski pohoi se nga pikëpamja e ndërtimit nuk kishte rikonstruim, por më tepër dekorim të brendshëm dhe punë artizanale.
Çështja është në procedurë provash dhe vazhdohet me prezantimin e dëshmive nga mbrojtja e cila ka paralajmëruar më shumë se 240 dëshmitarë.
Më 14 shtator të këtij viti, përfundoi paraqitja e provave nga Prokuroria publike. Në rreth 49 seanca dëgjimore u paraqitën 1.390 prova materiale dhe u dëgjuan 45 dëshmitarë dhe pesë ekspertë.
Gjyqi filloi më 19 nëntor 2025, kur tetë muaj pas tragjedisë, 35 të pandehur, individë dhe tre persona juridikë u ulën në bankën e të akuzuarve. Ndërkohë, njëri nga të pandehurit, Lupço Grnçishtanov vdiq.
Rasti udhëhiqet nga gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan më 16 mars 2025, gjatë një pjesëmarrjeje të grupit DNK humbën jetën 63 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e vendit kohëve të fundit.