VIDEO/Të paktën 10 të vdekur në dy aksidente zinxhirore trafiku në një autostradë në Bullgari
Më shumë se 10 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar në dy aksidente zinxhirore trafiku ku janë përfshirë mbi 50 automjete në autostradën “Trakia”, afër qytetit bullgar Jambol, raportojnë mediat lokale, përcjell INA.
Mes të lënduarve, 11 janë shtruar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa ekipet e shpëtimit janë ende duke punuar për nxjerrjen e pasagjerëve të bllokuar.
Numrin e të vdekurve e konfirmoi guvernatori rajonal i Jambolit, Georgi Çallakov. Më parë, Diana Rusinova nga Qendra Evropiane për Politika të Transportit njoftoi se 10 persona kanë humbur jetën në aksidente.
Zëvendësdrejtori i spitalit në Jambol, Dr. Valentin Vallçev, deklaroi se 11 të lënduar janë pranuar në gjendje të rëndë. Shtatë prej tyre kanë lëndim më të rënda, tre kanë fraktura në ekstremitete, ndërsa për të tjerët ende po përcaktohet shkalla e lëndimeve.
Në vendin e ngjarjes po mbërrijnë vazhdimisht automjete të ambulancës, çdo dy deri në tre minuta.
“Ka njerëz të bllokuar. Për fat të keq, ka tronditshëm edhe të vdekur”, deklaroi shefi i policisë rrugore në Jambol, kryeinspektori Todor Mishinov.
Në disa vende shpëtimtarët u desh të prisnin karrocerinë e veturave për të nxjerrë pasagjerët.
Sipas dëshmisë së njërit prej pjesëmarrësve në aksident, dukshmëria për shkak të mjegullës së dendur ka qenë maksimumi 30 metra. Ai i tha televizionit “Nova” se pas përplasjes është djegur edhe një veturë, ndërsa drejtuesit e mjeteve që tashmë kishin marrë pjesë në aksident u kanë sinjalizuar veturave të tjera që të zvogëlojnë shpejtësinë dhe të bëjnë kujdes.
Në aksidente kanë marrë pjesë më shumë se 50 automjete, përfshirë vetura, autobuzë dhe kamionë. Një kamion ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Si shkaqe kryesore të përplasjeve përmenden mjegulla e dendur dhe rruga e lagësht.
Menjëherë pas aksidenteve janë aktivizuar shërbimet e urgjencës, policia dhe ushtria. Një helikopter mjekësor i dërguar nga Sliveni fillimisht nuk ka arritur të ulet në vendin e ngjarjes.
Aksidenti i parë u raportua rreth orës 7:10, në kilometrin e 289-të të autostradës, në drejtim të Burgasit. Menjëherë pas kësaj u raportua edhe një përplasje e dytë në drejtimin e kundërt, drejt Sofjes.
Autostrada “Trakia” është e mbyllur në të dy drejtimet, ndërsa trafiku po devijohet përmes nyjës “Karnobat”, rrugës I-6 te “Petollaçka”, Sliven, rrugës II-53 dhe nyjës “Kruszare”. Në segmentin nga kilometri i 288-të deri te nyja “Kabile” është formuar një kolonë e gjatë automjetesh.(INA)