Pas 15-vjetësh heshtjeje, drejtësia troket në rastin e vrasjes së Diana Kastratit
Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit në Prishtinë, më 10 nëntor pritet të mbahet seanca fillestare gjyqësore ndaj ish-partnerit të saj, Adnon Jashari, i akuzuar për këtë krim.
Prokuroria kërkoi që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi autoritetet kosovare nuk arritën ta sjellin të akuzuarin para drejtësisë.
Diana ishte 27 vjeçe dhe nënë e një vajze kur u vra me armë zjarri më 18 maj 2011, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata.
Gjykata nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj.
Në vitin 2013, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ky mosveprim kishte shkelur të drejtën e saj për jetë.
Aktakuza fillestare ndaj Jasharit ishte ngritur në dhjetor të vitit 2023, ndërsa në tetor të këtij viti Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkoi gjykimin e tij në mungesë.
Më 22 tetor, Prokuroria ngriti aktakuzën në mungesë, duke e akuzuar Jasharin për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Më 6 nëntor, Policia e Kosovës publikoi fotografitë e Jasharit dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij, në bazë të një urdhërese të gjykatës.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Diana Kastrati kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet me të akuzuarin, me të cilin kishte një vajzë.
Në janar të vitit 2011, ajo kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore dhe ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.
Më 26 prill, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Kastrati kërkoi urdhër mbrojtjeje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë.
Gjykata duhej të vendoste brenda 24 orëve, por kërkesa mbeti pa përgjigje.
Vetëm 22 ditë më vonë, më 18 maj, Diana u vra me armë zjarri në Prishtinë.
Prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila në shkurt të vitit 2013 konstatoi se mosveprimi i gjykatës kishte shkelur të drejtën e Dianës për jetë dhe të drejtën për mjete juridike efektive.
Familja kërkoi më pas dëmshpërblim nga shteti.
Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren caktoi kompensim prej 95 mijë eurosh, por Gjykata e Apelit e uli shumën në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.
Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe qeveria u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.
Për vite me radhë, një nga pengesat për zhvillimin e procesit gjyqësor ishte pamundësia e ekstradimit të të akuzuarit nga Spanja, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në vitin 2022, institucionet kosovare kishin konfirmuar se autoritetet spanjolle kishin refuzuar kërkesën për ekstradimin e tij.
Megjithatë, mbetet e paqartë pse u deshën 15 vjet që të kërkohej gjykimi në mungesë dhe çfarë veprimesh ndërmorën institucionet gjatë kësaj periudhe.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë Themelore në Prishtinë për arsyet e vonesave, zhvillimet në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por nuk mori përgjigje.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se pengesat për ekstradim nuk duhet të arsyetojnë vonesa të pakufizuara dhe se autoritetet duhet të sqarojnë nëse kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjykimi në mungesë mund të mundësojë vazhdimin e procedurës pa praninë e të akuzuarit, nëse plotësohen kushtet ligjore.
Jashari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Rasti i Diana Kastratit vjen para gjykatës në kohën kur një tjetër vrasje ka ngritur shqetësime për mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.
Më 25 tetor, Arlinda Zekaj u vra në Pejë. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj.
Zekaj është njëra nga tetë gratë e vrara në Kosovë gjatë këtij viti.
Para vrasjes, ajo kishte raportuar dhunë dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje emergjente më 7 shtator, por ai kishte të bënte me bashkëshortin e saj, jo me të dyshuarin për vrasjen.
Inspektorati Policor i Kosovës konstatoi se nuk ishte dokumentuar ekzekutimi i urdhrit të parë të mbrojtjes, i lëshuar më 7 shtator, ndërsa urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë.
Pas këtyre gjetjeve, 11 zyrtarë policorë u pezulluan nga detyra.
Zekaj i ishte drejtuar edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se kishte pasur vonesa dhe parregullsi në trajtimin e rastit të saj.
Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur shqetësime për efektivitetin e mbrojtjes institucionale të grave që raportojnë dhunë./REL