Naser Ziberi përshëndet propozim-ligjin për provimin e Jurisprudencës, një hap përpara!
Propozim-ligji për provimin e jurisprudencës, i cili parasheh që 12 provimet teorike të zhvillohen në gjuhën shqipe, është një hap serioz drejt zgjidhjes së problemit me të cilin përballen studentët shqiptarë. Kështu vlerëson ish-avokati i popullit, Naser Ziberi, sipas të cilit, edhe pse propozimi nuk e zgjidh tërësisht çështjen, ai paraqet një kompromis politik dhe një mundësi për avancim të mëtejshëm përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme ligjore.
Ish-deputeti dhe ish-avokati i popullit, Naser Ziberi në një deklaratë për TV Koha, vlerëson se propozim-ligji i Ministrisë së Drejtësisë për provimin e jurisprudencës përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së këtij problemi për studentët shqiptarë.
Sipas Ziberit, bëhet fjalë për një vendim politik, i cili, sikurse edhe vendimet e tjera të kësaj natyre, është rezultat i kompromisit mes forcave politike në një moment të caktuar.
“Mendoj se ky është një hap serioz drejtë zgjidhjes së kësaj çështje kuptohet se nuk e zgjidh problemin në tërë kompleksitetin e tij, por që është një hap përpara, padyshim. Zaten, ky do të jetë një vendim politik dhe si të tilla vendimet politike n asnjëherë uk janë të plota, të tërësishme, por janë kompromis të forcave në momentin e caktuar. Do të them se edhe vendime të tjera kur janë marrë, kanë qenë të kësaj natyre”.
Ziberi thekson se çështja e provimit të jurisprudencës duhet të trajtohet në mënyrë graduale, me synimin që përmes hapave të njëpasnjëshëm të arrihet një zgjidhje e plotë. Si shembull, ai përmend procesin e ndryshimit dhe avancimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili, sipas tij, është përmirësuar përmes disa ndërhyrjeve ligjore ndër vite.
“Edhe vet ligji për përdorimin e gjuhëve është amenduar tre herë. Janë sjellë dy ligje dhe një propozim për ndryshimin e ligjit. Ligji që është propozuar në vitin 2008-të ka qenë dukshëm më i reduktuar, pastaj është avancuar me amendamentet e vitit 2011-të dhe pastaj është rrumbullaksuar në vitin 2018-të. Edhe provimi i jurisprudencës duhet të shkoj në drejtim të zgjidhjes dhe rrumbullaksimit të tërësishëm, me këtë hap”.
Kujtojmë se javën e kaluar, me propozim të Qeverisë, Komisionit të Venecias iu kërkua mendim urgjent lidhur me ligjin që rregullon mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës. Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë parasheh që 12 provimet teorike të zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa dy provimet e tjera për studentët shqiptarë të mbahen me ndihmën e përkthyesve.