Sulejmani i përgjigjet BDI-së: Bursat nuk janë privilegj etnik apo politik!
Bursat nuk ndahen mbi bazën e përkatësisë etnike apo preferencave politike, por mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë dhe të publikuara paraprakisht në konkurset e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kështu thotë zëvendëministri në MASH, Driton Sulejmani, ndërsa thotë se “shqyrtimi i aplikimeve dhe vlerësimi i dokumentacionit realizohen nga komisionet profesionale, të cilat duhet të zbatojnë të njëjtat kushte dhe mënyrë të pikëzimit për secilin kandidat.
Përgjigja e zëvendësministri”t në MASH, Driton Sulejmani:
Lidhur me reagimin e BDI-së për rezultatet e konkursit të bursave për vitin shkollor 2026/2027, vlerësoj se opinioni publik meriton një sqarim të bazuar në fakte, në kriteret e konkursit dhe në procedurat ligjore, e jo në interpretime të pjesshme të rezultateve.
Fillimisht, dua të theksoj se bursat nuk ndahen mbi bazën e përkatësisë etnike apo preferencave politike, por mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë dhe të publikuara paraprakisht në konkurset e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Shqyrtimi i aplikimeve dhe vlerësimi i dokumentacionit realizohen nga komisionet profesionale, të cilat duhet të zbatojnë të njëjtat kushte dhe mënyrë të pikëzimit për secilin kandidat.
Në katër kategoritë për të cilat janë publikuar rezultatet, kushtet kanë qenë specifike dhe të përcaktuara saktësisht:
• Bursat për fëmijët pa prindër u dedikohen nxënësve që dëshmojnë statusin e tyre me dokumentacion nga institucionet kompetente. Kriter për renditjen e tyre është suksesi i arritur gjatë shkollimit.
• Bursat për nxënësit e talentuar kërkojnë sukses të vazhdueshëm të shkëlqyeshëm dhe çmime të dokumentuara për vendin e parë, të dytë ose të tretë në gara shtetërore apo ndërkombëtare, sipas kushteve të konkursit.
• Bursat për artistët e talentuar kërkojnë rezultate të dëshmuara në gara artistike shtetërore ose ndërkombëtare, sukses të shkëlqyeshëm dhe dokumentacion për çmimet e fituara.
• Bursat për sportistët e talentuar ndahen duke marrë parasysh suksesin shkollor dhe rezultatet sportive në gara të organizuara nga federatat përkatëse, me pikëzim të përcaktuar për arritjet individuale dhe ekipore.
Pra, bëhet fjalë për katër kategori me kushte të veçanta, ku përzgjedhja duhet të mbështetet në dëshmi konkrete dhe në vlerësim profesional.
Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se rezultatet e publikuara deri më tani nuk paraqesin pasqyrën përfundimtare të shpërndarjes së bursave për vitin shkollor 2026/2027.
Gjatë këtyre ditëve pritet publikimi edhe i rezultateve për dy kategori të tjera shumë të rëndësishme:
900 bursa për mbështetje sociale të nxënësve, ku vlerësohen edhe gjendja ekonomike dhe sociale e familjeve, si dhe 1.570 bursa për nxënësit e regjistruar në paralele duale, në kuadër të arsimit profesional.
Pikërisht në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Prandaj, çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre.
Si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, konsideroj se transparenca është detyrim institucional. Jam i hapur për publikimin dhe analizimin e të dhënave të përmbledhura mbi numrin e aplikimeve, kriteret dhe rezultatet e pikëzimit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu, çdo kandidat i pakënaqur ka të drejtë të shfrytëzojë mekanizmat ligjorë të ankimimit.
Përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë është çështje serioze, por ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe fakte të plota. Nuk mund të nxirren përfundime për një proces të tërë përderisa rezultatet e të gjitha kategorive ende nuk janë publikuar.
Ftoj të gjithë aktorët politikë që çështjet e arsimit të mos i trajtojnë vetëm përmes deklaratave politike, por të kontribuojnë në informimin dhe inkurajimin e nxënësve për të shfrytëzuar mundësitë që u ofrohen.
Përkushtimi ynë mbetet i qartë: mundësi të barabarta për çdo nxënës, respektim i kritereve dhe transparencë në çdo vendim.