Kontrolle të përforcuara për “Black Friday”, ISHT do të verifikojë zbritjet
Inspektorati shtetëror i tregut (ISHT) do të zbatojë kontrolle të përforcuara inspektuese tek tregtarët në tërë territorin e vendit me rastin e uljeve të paralajmëruara të çmimeve në kuadër të fushatës “Black Friday”.
Siç informojnë nga Inspektorati, kontrollet do të orientohen ndaj ligjshmërisë së promocioneve shitëse, mënyrën e publikimit të zbritjeve, shënimin e çmimeve dhe informimin e konsumatorëve për kushtet në të cilat ofrohen produktet. Theks i veçantë do t’i kushtohet shitjes së aparateve shtëpiake, teknikës së bardhë, pajisjeve elektronike, telefonave celularë, pajisjeve kompjuterike, veshjeve, këpucëve, mobiljeve dhe produkteve tjera që ofrohen me çmime të zvogëluara gjatë kësaj periudhe.
Nga ISHT njoftojnë se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë rasteve eventuale të shfaqjes së rreme të zbritjeve, rritjes së pabazuar të çmimeve para uljes së tyre, reklamimit të pasaktë dhe mashtrues, si dhe parregullsive tjera që lidhen me kushtet e shitjes.
“Qëllimi i kontrolleve inspektuese është parandalimi i praktikave të padrejta tregtare dhe të mbrohen të drejtat dhe interesat ekonomike të konsumatorëve. Inspektorati u bën thirrje tregtarëve të respektojnë detyrimet ligjore dhe në mënyrë transparante të paraqesin çmimet dhe zbritjet, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të ndjekin me kujdes çmimet dhe kushtet e treguara për ulje. Nëse vërejnë parregullsi ose shkelje të të drejtave të konsumatorëve, qytetarët mund t’i raportojnë ato në numrin falas 191 ose nëpërmjet faqes së internetit www.dpi.gov.mk”, thuhet në kumtesën e Inspektoratit.
Me përcaktimin e parregullsive, ISHT paralajmëron se do të ndërmarrë masa adekuate inspektuese dhe ligjore.