Mesfushori i Xhironës: Dua të luajë për Barcelonën
Skuadra e Xhironës është befasi e bukur e këtij sezoni në La Liga. Skuadra katalanase po zhvillon një sezon të mrekullueshëm, teksa pas javës së 27-të renditet në vendin e dytë në Spanjë, me 7 pikë më pak se Reali kryesues. Aleiks Garsia është një nga pikat më të forta të skuadrës së Miçellit. 3 gola dhe 5 asiste numëron mesfushori me Xhironën, ndërkohë që në të ardhmen ëndërron të luajë në “Camp Nou”.
“Do të doja të luaja me Barcelonën, që është skuadra ime e preferuar. Që i vogël bëj tifo për katalanasit. Nuk pendohem që kam folur mirë për Barcelonën, pasi jam një tip i drejtpërdrejtë.
Java e fitores kundër Barcelonës (Xhirona triumfoi 2-4) ishte e vështirë për mua. Pastaj fitorja përballë tyre ishte thjesht… vov!
Kisha një presion shtesë, por gjithçka ndryshoi kur nisi loja. Zhvilluam një ndeshje perfekte”, kujton 26-vjeçari, për të cilin ka kohë që drejtuesit e Barçës e ndjekin me interes të madh.