Policia godet grupin e dyshuar për vjedhje të rënda, pesë të arrestuar në Fushë Kosovë
Pesë persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda në lokale afariste, fabrika dhe depo.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi i tyre ka ardhur pas një pune intensive hetimore nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Fushë Kosovë, shkruan Gazeta Online Veriu.info.
Të dyshuarit dyshohet se kanë depërtuar me forcë dhe duke përdorur mjete të forta në lokacione të ndryshme afariste, ku kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe financiare.
Bazuar në deklarimet e viktimave, dëmi i shkaktuar nga këto vjedhje vlerësohet të jetë rreth 200 mijë euro.
Policia bën të ditur se më 26 nëntor 2026, në kuadër të Planit Operativ “Vjedhjet e Rënda”, janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, me urdhëresë të Gjykatës kompetente.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, telefona celularë dhe prova të tjera materiale që ndërlidhen me rastet nën hetim.
Pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë kompetente./Veriu.info