ABI i reagon AUV-it: Produktet tona janë në rregull, ja dëshmitë – publikoni raportet e analizave e jo tabela me PowerPoint
Kompania ABI, pjesë e së cilës është aumështorja ABI, ka reaguar ndaj një deklarimi të bërë sot në konferencë për media nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, agjenci kjo që tha se ka gjetur vaj palme të padeklaruar në krem të freskët dhe speca me krem të ABI-it.
Në reagimin e kompanisë ABI dërguar në redaksinë e Veriu.info, thuhet se janë të bindur plotësisht se përmbajtja e produkteve të tyre është deklaruar në etiketa dhe se të dhënat e paraqitura gjatë konferencës nuk e pasqyrojnë saktë gjendjen faktike të produkteve konkrete.
ABI përmes reagimit ka kërkuar nga AUV që të publikojë raportin origjinal laboratorik, emri i plotë dhe i saktë i produktit të analizuar, fotografinë e etiketës origjinale, numri i lotit dhe data e prodhimit, procesverbali i marrjes së mostrës dhe metodën laboratorike të përdorur.
Reagimi i kompanisë ABI ndaj AUV dërguar në Veriu.info:
Ne jemi plotësisht të bindur se përmbajtja e produkteve tona është deklaruar në etiketa dhe se të dhënat e paraqitura gjatë konferencës nuk e pasqyrojnë saktë gjendjen faktike të produkteve konkrete.
Pikërisht për këtë arsye kërkojmë që përfundimet të mos bazohen vetëm në tabela dhe përshkrime të paraqitura në PowerPoint. Në rrethana normale dhe transparente duhet të publikohen:
– raporti origjinal laboratorik;
– emri i plotë dhe i saktë i produktit të analizuar;
– fotografia e etiketës origjinale;
– numri i lotit dhe data e prodhimit;
– procesverbali i marrjes së mostrës;
– metoda laboratorike e përdorur.
Vetëm duke e krahasuar analizën origjinale me etiketën origjinale mund të konstatohet nëse një përbërës ka qenë i padeklaruar apo nëse është paraqitur saktësisht në paketim.
Në fotografitë që po jua bashkëngjisim shihet qartë dallimi ndërmjet dy kategorive të produkteve tona.
Në Fotografitë 1 dhe 2, produktet janë të emërtuara “Speca të prerë në krem” dhe “Krem i freskët”. Në përmbajtjen e tyre është deklaruar qartë yndyra bimore. Termi “yndyrë bimore” përfshin lloje të ndryshme të yndyrave me origjinë bimore, si yndyra e palmës, e lulediellit, e kokosit dhe të tjera. Prandaj, gjetja e yndyrës bimore në një produkt në të cilin ajo është deklaruar nuk përbën mashtrim apo përbërës të padeklaruar.
Për më tepër, emërtimi kryesor i produktit është “krem” dhe jo “ajkë qumështi”. Kjo është e rëndësishme, sepse konsumatori informohet si për natyrën e produktit, ashtu edhe për përbërësit e tij.
Ndërsa në Fotografitë 3 dhe 4 paraqiten produkte të tjera, të emërtuara “Schmand – ajkë e freskët” dhe “Speca të mbushura me ajkë”. Në këto produkte deklarohet përdorimi i ajkës dhe yndyrës së qumështit. Pikërisht në këto raste nuk guxon të konstatohet prania e yndyrës bimore. Nëse një analizë origjinale do të vërtetonte të kundërtën, ne do të mbanim përgjegjësi të plotë ligjore, penale, morale dhe materiale.
Sipas procedurave të zakonshme, nëse në një produkt konstatohet realisht një përbërës i padeklaruar, produkti duhet të tërhiqet nga tregu dhe ndaj operatorit duhet të ndërmerren masat përkatëse ligjore. Deri më tani, ne nuk kemi pranuar raportin origjinal laboratorik dhe as dokumentacionin që do të na mundësonte të kuptonim se cili produkt, cili lot dhe cila etiketë janë marrë për bazë gjatë prezantimit publik.
Për këtë arsye ekziston dyshimi ynë i arsyeshëm se të dhënat mund të jenë paraqitur në mënyrë të pasaktë, të paplotë ose të jenë ngatërruar emërtimet e produkteve të ndryshme. Nuk dëshirojmë të akuzojmë askënd pa prova, por kërkojmë të njëjtin standard edhe për kompanitë: të mos shpallen shkelëse pa u publikuar dokumentacioni origjinal dhe i verifikueshëm.
Unë nuk jam kundër kontrolleve dhe as kundër ndëshkimit të kujtdo që mashtron konsumatorin.
Përkundrazi, mbështes kontrolle rigoroze, të barabarta dhe profesionale si për prodhimet vendore, ashtu edhe për produktet e importuara. Por kontrollet duhet të rezultojnë me transparencë dhe dokumente, jo vetëm me përmbledhje tabelare që mund të krijojnë përshtypje të gabuar në publik.
Që nga viti 1996 jemi pjesë e sektorit të qumështit dhe i njohim nga afër të gjitha sfidat që kanë kaluar fermerët, përpunuesit dhe punëtorët e kësaj industrie. Një prezantim i pasaktë nuk e dëmton vetëm një kompani, por rrezikon besimin në tërë prodhimin vendor dhe krijon hapësirë që tregu të dominohet edhe më shumë nga importi. Këtë nuk mund ta pranojmë në heshtje.
Ju inkurajojmë që, krahas raporteve laboratorike, nga AUV-i dhe Ministria të kërkoni edhe etiketat origjinale të secilit produkt të analizuar. Jemi të bindur se, pasi t’i krahasoni dokumentet origjinale me fotografitë e etiketave, do të kuptoni se në rastin e produkteve “Speca në krem” dhe “Krem i freskët”, yndyra bimore është deklaruar.
Ju falënderojmë për gatishmërinë për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë profesionale dhe për t’ia mundësuar publikut të njihet edhe me qëndrimin tonë.



