Adnan Azizi: AKI në panik nga humbja, po shpërndan rrena dhe shpifje çdo ditë
Shefi i shtabit të Vlen, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), duke e akuzuar atë se po përpiqet të zbusë “debaklin zgjedhor” përmes shpifjeve dhe mashtrimeve.
Në një postim publik, Azizi tha se “AKI-t nuk i bëjnë punët”, ndërsa shtoi se kjo parti është në panik nga humbja që e pret më 19 tetor.
“Në panik nga humbja e madhe, po mundohen ta zbusin debaklin zgjedhor me insinuata, rrena dhe shpifje që plasojnë për çdo ditë në opinion,” shkroi ai.
Azizi tregoi se një gazetar e kishte bërë të qesh me një pretendim të tillë, por se në të njëjtën kohë kishte ndjerë keqardhje për “sa poshtë kanë rënë oponentët politikë”.
Në përgjigjen e tij publike, ai shtoi:
“Hahaha, më keni bë me qesh me sabah… Rrenë e kulluar e AKI-së si të gjitha shpifjet dhe mashtrimet e deritanishme, pa fakte dhe pa asnjë argument. Asnjëherë në jetë nuk kam pranuar, as unë e as dikush nga familja ime Azizi, pagë shteti deri ditën që jam zgjedhur deputet.”
Azizi ftoi publikisht që të hulumtohen të ardhurat e tij, duke theksuar se, nëse del e vërtetë që ka përfitime jashtë pagës së deputetit, ai do të japë dorëheqje.
“Në të kundërtën, këta horrat e AKI-së duhet të kërkojnë falje publike ose të ballafaqohen me mua në gjyq,” shtoi ai.