
Adnan Azizi i përgjigjet Taravarit: Arben, ti nuk e mbrrin as tetorin, politikisht ke përfunduar!
Shefi i shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Arben Taravarit, duke e akuzuar këtë të fundit për kthim politik drejt Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe për devijim nga rruga që e kishte ndjekur dikur brenda Aleancës për Shqiptarët.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Azizi shkruan:
“Arben, nuk është bota e shtrembëruar, por ti e shtrembërove rrugën tënde. Më saktë, u ktheve tek strategu yt, të cilit dikur i jepje diagnoza të ndryshme!”
Azizi mohon kategorikisht çdo insinuatë se ai apo Izeti kanë tërhequr njerëz nga Aleanca për Shqiptarët në strukturat e VLEN-it, duke theksuar se ata kanë qëndruar në Aleancë, ndërsa Taravari është ai që, sipas tij, është kthyer tek “BDI-ja e tij”. Ai e akuzon Taravarin se ka mbajtur peng procese të rëndësishme për interesin e shqiptarëve, vetëm për të ruajtur pozicionin personal.
“Për të qenë të saktë, nuk erdhën nga ASH-ja tek Adnan Azizi e as te Izeti, por ata mbetën në Aleancë, kurse ti u ktheve tek BDI-ja jote,” shkruan Azizi.
Në reagimin e tij, ai gjithashtu sqaron se nuk ka pasur asnjëherë kontakt me kryetaren e Forumit Rinor të ASH-së (FRASH), duke e cilësuar çdo deklaratë të kundërt si përpjekje për manipulim dhe konfuzion nga ana e Taravarit.
“Po e demanton çdo ditë e më shumë veten, me çka dëshmon se e ke humbur kontrollin dhe nuk din se çka po flet,”vijon Azizi.
Më tej, ai përforcon qëndrimin se shumica e strukturave partiake kanë qëndruar me VLEN-in dhe e cilëson Taravarin të ndikuar nga “diktatet që i vijnë nga Zajazi”, duke e akuzuar atë për mungesë autonomie dhe për shërbim ndaj interesave të grupeve të caktuara që synojnë rikthimin e BDI-së në pushtet.
“Ju më nuk e keni lirinë për të menduar vetë,” shkruan ai, duke shtuar se “loja është deshifruar dhe plani për të dëmtuar VLEN-in ka dështuar.”
Azizi përfundon me një mesazh të prerë dhe simbolik:
“Arben, ti nuk e mbërrin as tetorin. Politikisht ke përfunduar.”