Adnan Azizi: Jemi forca e dytë në vend, Ali Ahmeti shiti Bërvenicën dhe Kërçovën për ta fituar Tetovën
Adnan Azizi nga VLEN deklaroi se koalicioni ka fituar pothuajse në të gjitha komunat ku ishte në balotazh dhe është tashmë forca e dytë në nivel shteti. Ai theksoi fitoret bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë dhe Dollnen, me diferenca të mëdha votash. Azizi kërkoi dorëheqjen e Ali Ahmetit, duke thënë se BDI ka nevojë për reformim. Ai akuzoi Ahmetin se ka “shitur” Bërvenicën dhe Kërçovën për të fituar Tetovën, por që planet e tij kanë dështuar, raporton Portalb.mk.
“VLEN Arriti fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ishim në balotazh, VLEN është forca e dytë në nivel të shtetit. Deri në këto momente mund të konfirmoj fitoren në bindëse në Tetovë me mbi 5 mijë vota dallim. Fitoren bindëse në komunën e Bogovinës me mbi 1.400 vota dallim. Fitoren bindëse në Dibër, fitoren bindëse në Strugë, fitoren bindëse në Dollnen me 1.300 vota dallim. Është koha që Aliu të japë dorëheqje, kjo parti të reformohet, nëse dëshiron të mbijetojë si parti në skenën politike, tha Adnan Azizi nga VLEN.
Sa i takon Bërvenicës dhe Kërçovës ai shtoi se Ali Ahmeti i ka shitur për ta fituar Tetovën.
“Por si duket, në këto zgjedhje, të gjitha kalkuzlimet dhe hesapet i kanë dalë gabim, prandaj edhe sot iku që në mëngjes për në Shqipëri, duke e ditur se të gjitha planet dhe skenaret që i ka bë do t’i dështojnë. Përgjegjësinë për Kërçovën dhe Bërvenicën, drejtpërsëdrejti e bart lideri i BDI-së”, shtoi Azizi.