Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë intensifikon inspektimet për raste te shpezët
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka intensifikuar mbikëqyrjen në terren për praninë e virusit të Etheve të Nilit Perëndimor te shpendët, pasi nga mostrat e testuara deri më tani janë konfirmuar dy rezultate pozitive laboratorike. Një rast është zbuluar te një shpend i ngordhur në territorin e Shkupit, ndërsa rasti i dytë në territorin e Resnjës.
Nga Agjencia bëjnë të ditur se vetëm në periudhën nga 24 deri më 27 gusht kanë pranuar më shumë se 100 denoncime nga qytetarët për shpendë të ngordhur. Megjithatë, jo të gjithë shpendët e raportuar janë të përshtatshëm për marrjen e mostrave dhe testimin për virusin.
AGJENCIJA PËR USHQIM DHE VETERINARI
“Në periudhën nga 24.08.2026 deri më 27.08.2026 kanë mbërritur më shumë se 100 denoncime nga qytetarët. Një pjesë e denoncimeve kanë të bëjnë me shpendë të ngordhur, si harabela dhe lloje të tjera, të cilët nuk janë të përshtatshëm për testim për Ethet e Nilit Perëndimor. Për këtë arsye, jo çdo denoncim mund të rezultojë me marrjen e mostrës dhe testimin laboratorik. Nga mostrat e testuara, deri më tani janë marrë dy rezultate pozitive laboratorike – një te shpendi i ngordhur i gjetur në territorin e Shkupit dhe një te shpendi i gjetur në territorin e Resnjës”.
Agjencia njofton se mbikëqyrja aktive do të zhvillohet në të gjithë territorin e vendit dhe do të përfshijë fermat e shpendëve për qëllime jokomerciale, shpendët që mbahen në kafaze ose hapësira të tjera të mbyllura, si dhe shpendët ujorë në oborre dhe ferma familjare. Kontrollet dhe testimet do të përfshijnë pula, gjela deti, fazanë, thëllëza, shkurtat dhe strucë, por edhe lloje të ndryshme të shpendëve të egër, përfshirë patat, rosat, mjellmat, lejlekët, çafkat, skifterët, pulëbardhat, laraskat, bufat, kormoranët dhe grabitqarë të tjerë.
Agjencia apelon te qytetarët që të raportojnë shpendët e ngordhur, ndërsa vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet rasteve kur në të njëjtën zonë, brenda një periudhe të shkurtër, vërehet një numër më i madh shpendësh të ngordhur.
AGJENCIJA PËR USHQIM DHE VETERINARI
“Me mbikëqyrjen në kohë, testimin laboratorik dhe raportimin e shpejtë të rasteve të dyshimta, mundësohet ndërmarrja në kohë e masave për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik”.
Agjencia u bën apel edhe rritësve të shpendëve që të respektojnë masat e biosigurisë dhe të kufizojnë kontaktin e shpendëve shtëpiakë me shpendët e egër. Çdo ngordhje e shtuar ose e pazakontë te shpendët duhet të raportohet menjëherë te veterineri zyrtar ose shoqëria veterinare kompetente.
Samir Mustafa /SHENJA/
