Akuza të rënda: Imam ish i burgosur, muftiu i dyshimtë! Çka ndodh në Dollogozhdë dhe Muftinë e Strugës?!
Faqja zyrtare e Xhamisë së fshatit Dollogozhdë ka publikuar sot një reagim të fortë, pas vizitës në xhami të muftiut të Strugës, Adi Murtishi, i shoqëruar nga një imam i ardhur nga Podgorcë.
Sipas reagimit të publikuar në faqen zyrtare, Adi Murtishi është zgjedhur mufti “në restorantin e një serbi në Strugë, respektivisht të Darkos”, ku, sipas tyre, është fotografuar edhe me imamin që tani po tenton ta vendosë në Dollogozhdë.
Në reagim thuhet se imami i propozuar nga muftiu duhet të dalë publikisht para banorëve të Dollogozhdës dhe të sqarojë disa çështje serioze nga e kaluara e tij. Sipas Faqes Zyrtare të Xhamisë së Dollogozhdës, ai duhet të tregojë pse ka qenë në burg para se të vinte në Dollogozhdë dhe çfarë ka ndodhur me paratë e haxhilerëve të Podgorcës, për të cilat pretendohet se janë keqpërdorur.
Në postim theksohet se për këto raste, sipas tyre, janë të informuara edhe Myftinia, edhe kryesia e re e xhamisë në Dollogozhdë, të cilën ata e quajnë “antikushtetuese”. Po sipas tyre, pikërisht këto arsye kanë çuar në përjashtimin e imamit nga xhamia e Podgorcës, ndërsa tani, siç pretendohet, ai po sillet në Dollogozhdë nga vetë muftiu.
Faqja Zyrtare e Xhamisë së fshatit Dollogozhdë e konsideron këtë veprim si të papranueshëm dhe kërkon transparencë të plotë për figurën e imamit që synohet të vendoset në fshat, si dhe përgjegjësi nga Myftinia e Strugës dhe nga muftiu Adi Murtishi.
Reagimi ka shkaktuar diskutime të shumta në rrjetet sociale dhe ka thelluar edhe më tej tensionet mes grupeve të banorëve në Dollogozhdë, ndërkohë që ende nuk ka një reagim zyrtar nga BFI apo Myftinia e Strugës lidhur me këto akuza.