Akuzohet për vrasjen me thikë të kunatit, Gëzim Gjini ekstradohet nga Shqipëria në Itali
Ekstradohet nga Shqipëria në Itali, 30-vjeçari Gëzim Gjini që akuzohet se organizoi në Dhjetor të vitit 2022, në Itali, vrasjen me mjet prerës, të bashkëshortit të motrës së tij, Petrit Cakën.
30-vjeçari u arrestua në Shqipëri, në muajin Gusht të vitit 2023, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Infra Atlas”, i cili në atë periudhë zhvillohej paralelisht në disa shtete dhe koordinohej nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.
“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Velletri, Itali, me vendimin e datës 17.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, për të cilën Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 30 vjet burgim”, njofton “Interpol Tirana”.
Kujtojmë se për të fshehur vrasjen, Gëzim Gjini, e motra e tij dhe 2 bashkëpunëtorët e tjerë tashmë të vënë në pranga e inskenuan ngjarjen si grabitje (Lexo më shumë), ku Caka u vra pa mëshirë, duke u goditur disa herë me thikë.
Hetimet e autoriteteve italiane si dhe përgjimet e zhvilluara zbuluan të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë. Konkretisht rezultoi se Gëzim Gjini dhe dy bashkëpunëtorët e tij ishin thirrur prej motrës së tij për të vënë në jetë planin e vrasjes. Autorët mbërritën në Itali në aeroportin e Romës më 10 Dhjetor, ndërsa vetëm 3 ditë më pas u ekzekutua Petrit Caka.
Ishte gruaja e tij që njoftoi karabinierët për ngjarjen duke deklaruar se ka gjetur në shtëpi trupin e pajetë të bashkëshortit të saj, thënie këto që rezultuan të pavërteta. Shkak për realizimin e këtij plani u bënë konfliktet e vazhdueshme mes çiftit, që shpesh herë sipas gruas kishin përfunduar me dhunimin e saj./tvklan.al