
Alarm në Bruksel: Shkup bllokon rrugën drejt Bashkimit Evropian!
Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, ka dërguar një letër alarmuese drejtuar kolegëve të tij në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar për refuzimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut për të zbatuar Marrëveshjen me Sofjen dhe detyrimet e saj ndaj Unionit, transmeton Flaka
Në dokumentin zyrtar, i drejtuar gjithashtu Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, Georgiev shprehet i shqetësuar: sipas tij, qeveria e Shkupit nuk po ndërton ura, por po ndjek një politikë konfrontimi dhe pakënaqësie të vazhdueshme, duke provokuar Bullgarinë dhe Bashkimin Evropian.
“Qeveria e vendit kandidat po përpiqet të krijojë incidente që më pas i përdor për ankesa dhe bllokime të reja. Kjo sjell probleme të vetëkrijuara dhe rrit frustrimin brenda BE-së,” thekson Georgiev.
Letra e ministrit bullgar vjen në një moment kritik për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke ndezur debate të reja mbi zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe gatishmërinë e Shkupit për t’u përmbajtur standardeve evropiane.